

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren pret Ambasadorin e Italisë në Kosovë
Më 21 janar 2026, Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren mirëpriti në një takim Ambasadorin e Italisë në Kosovë, z. Maurizio Antonini, në kuadër të përforcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Takimi u mbajt në ambientet e Universitetit dhe kishte për qëllim prezantimin e vizionit strategjik të Universitetit “Ukshin Hoti”Prizren, si dhe hapjen e një dialogu të drejtpërdrejtë me Ambasadën e Italisë mbi mundësitë e bashkëpunimit në fushat akademike, kulturore, institucionale dhe ekonomike.
Një fokus i veçantë ishte prezantimi i Këndi Italia, një hapësirë e dedikuar për promovimin e gjuhës dhe kulturës italiane në Kosovë, e themeluar me mbështetjen e bashkëpunimit civil-ushtarak (CIMIC) të KFOR-it Italian të Regional Command West. Këndi Italia synon të shërbejë si një pikë referimi për studentët, stafin akademik dhe komunitetin e gjerë, duke ofruar kurse të gjuhës italiane, aktivitete kulturore dhe mbështetje për mobilitet akademik dhe profesional drejt Italisë.
Në këtë kuadër, u zhvillua takimi online me përfaqësuesit e Universitetit Perugias, përkatësisht me Prorektorin Francesco Asdrubali dhe Prof. Roberto Dolci, gjatë të cilit u diskutua dhe u dakordua për hapat drejt nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi për bashkëpunim akademik ndërmjet dy institucioneve.
Në takim morën pjesë:
Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti”Prizren
Kolonel Lorenzo Mangia, Komandant i Regional Command West të KFOR-it
Përfaqësues të Universitetit Perugias, përfshirë Prorektorin Francesco Asdrubali dhe Prof. Roberto Dolci, me të cilin është paraparë nënshkrimi i një Memorandumi Mirëkuptimi për bashkëpunim akademik
Toger Salvatore Picerno
Stafi akademik i Universitetit “Ukshin Hoti”Prizren: Prof. Asoc. Dr. Serdan Kervan, Prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ngritje të Cilësisë, Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj, dhe Prorektore për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, MSc. Nexhmedin Krasniqi Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit, Dekani i Fakultetit Ekonomik Prof. Ass. Dr. Festim Tafolli, dhe U.d. Drejtor i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar z. Përparim Avdullahu,
Gjatë diskutimeve u theksua rëndësia e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Italisë dhe Kosovës në fushën e arsimit të lartë, promovimit të gjuhës dhe kulturës italiane, si dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta që kontribuojnë në ndërkombëtarizimin e Universitetit dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.
Universiteti “Ukshin Hoti”Prizren mbetet i përkushtuar në zgjerimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe ndërtimin e partneriteteve strategjike që kontribuojnë në zhvillimin akademik, kulturor dhe shoqëror të vendit.
















