

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren shënon 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës me manifestim kulturor
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, Parlamenti Studentor organizoi një manifestim kulturor me rastin e shënimit të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Manifestimi u mbajt në amfiteatrin e universitetit, në praninë e studentëve, stafit akademik dhe administrativ, si dhe mysafirëve të shumtë. Me këtë rast, rektori i universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, theksoi se 17 Shkurti përfaqëson një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë të re kombëtare, duke nënvizuar domosdoshmërinë që brezat e sotëm dhe të ardhshëm të reflektojnë dhe të punojnë për mbrojtjen e sakrificës sublime që u bë për pavarësinë e shtetit tonë.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Riad Bislimaj, tha se ky aktivitet është dëshmi e angazhimit të studentëve për të nderuar historinë kombëtare, duke shtuar se brezi i ri është i vetëdijshëm për përgjegjësinë që ka ndaj së kaluarës dhe të ardhmes së vendit.
Për rëndësinë historike dhe shtetërore të Pavarësisë së Kosovës foli edhe profesori universitar Prof. Asoc. Dr. Xhafer Beqiraj, i cili vuri në pah rrugëtimin e gjatë drejt lirisë dhe shtetndërtimit.
Në kuadër të manifestimit, për të pranishmit u shfaq një program i pasur artistik, i përbërë nga monologje, recitale poetike dhe valle tradicionale, duke krijuar një atmosferë festive dhe dinjitoze për shënimin e kësaj date të rëndësishme.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren vazhdon të mbështesë dhe promovojë aktivitete kulturore e akademike që kontribuojnë në ruajtjen e vlerave kombëtare dhe në formimin e gjithanshëm të studentëve të tij.















