

Universiteti "Ukshin Hoti" Prizrenit pasurohet me Stacion Fushor në partneritet me Universitetin e Konstanzës
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren dhe Universiteti i Konstanzës (Gjermani) kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi për menaxhimin dhe funksionalizimin e Stacionit Fushor të Universitetit të Konstanzës, i cili do të operojë në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren.
Marrëveshja përcakton kornizën e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy universiteteve për dislokimin, menaxhimin, funksionimin dhe ruajtjen e Stacionit Fushor, i cili do të shërbejë si infrastrukturë akademike dhe kërkimore, si dhe si hapësirë edukative dhe ekspozuese (Muze i Natyrës). Aktivitetet do të zhvillohen në kuadër të një faze pilot 18-mujore, me mundësi vazhdimi pas vlerësimit përfundimtar.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, Universiteti i Konstanzës do të vërë në dispozicion asetet e Stacionit Fushor, përfshirë pajisje kërkimore, koleksione biologjike, materiale ekspozuese, mobilje dhe materiale didaktike, ndërsa pronësia e tyre mbetet e Universitetit të Konstanzës. Universiteti “Ukshin Hoti”Prizren do të sigurojë hapësira adekuate, mbrojtje fizike, mirëmbajtje bazë, si dhe përdorimin e aseteve në përputhje me qëllimet e kësaj marrëveshjeje.
Marrëveshja parasheh menaxhim të përbashkët institucional, zhvillimin e aktiviteteve akademike, kërkimore dhe edukative, si dhe integrimin e Stacionit Fushor në strukturat universitare, duke mundësuar përdorimin e tij nga studentët, stafi akademik, shkollat dhe komuniteti i gjerë.
Universiteti i Konstanzës do të ofrojë udhëzime teknike dhe konceptuale, mbështetje në transferimin e njohurive dhe ruajtjen e standardeve shkencore, ndërsa një koordinator i trajnuar do të angazhohet për mbështetje profesionale, operative dhe edukative. Po ashtu, GIZ Kosova ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur zbatimin e aktiviteteve të parashikuara në marrëveshje.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në prani të përfaqësuesve të lartë të të dy institucioneve. Nga Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren morën pjesë: Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Rektor; Prof. Ass. Dr. Luan Vardari, Prorektor për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore; Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj, Prorektore për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë; MSc. Nexhmedin Krasniqi Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit; Prof. Asoc. Dr. Albana Plakiqi Milaimi, Dekane e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit; si dhe Prof. Asoc. Dr. Rifat Morina.
Nga Universiteti i Konstanzës mori pjesë Dr. Gregor Schmitz, përfaqësues i Kopshtit Botanik (Botanischer Garten), Universiteti i Konstanzës, ndërsa në cilësinë e koordinatorit të projektit ishte i pranishëm Dr. Sc. Qenan Maxhuni.
Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, forcimin e kapaciteteve kërkimore dhe zhvillimin e infrastrukturës akademike dhe edukative të Universitetit “Ukshin Hoti”Prizren.
Marrëveshja është nënshkruar nga:
Universitetin e Konstanzës: Matthias Kreysing, Chancellor
Universitetin “Ukshin Hoti”Prizren: Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Rektor dhe
Dr. Sc. Qenan Maxhuni, Koordinator




































