

Urime 14-vjetori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren!
Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren sot shënon 14-vjetorin e nisjes së punës dhe 15-vjetorin e themelimit, një periudhë që përmbledh shumë përpjekje, përkushtim dhe suksese. Në këto vite, rrugëtimi i universitetit ka kaluar përmes sfidave të themelimit, të cilat u tejkaluan me sakrificë dhe përkushtim nga stafi akademik dhe administrativ. Sot, me krenari mund të themi se ky institucion është bërë një qendër e rëndësishme akademike në rajon, duke u karakterizuar vazhdimisht me zhvillim pozitiv në çdo aspekt.
Zhvillimi i Universitetit “Ukshin Hoti” nuk ka qenë vetëm një rrugë drejt rritjes së kapacitetit akademik, por edhe një përkushtim për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe për të krijuar mundësi të reja për studentët. Duke investuar në kualitetin e mësimdhënies, modernizimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e programeve studimore, ne jemi të përkushtuar për të avancuar më tej, për të ofruar një përvojë sa më të mirë akademike për çdo student që zgjedh të jetë pjesë e familjes sonë.
Një falënderim i veçantë shkon për studentët tanë, të cilët janë zemra dhe inspirimi i çdo përpjekjeje që bëjmë. Ju, që keni vendosur të vazhdoni rrugëtimin tuaj akademik në këtë universitet, na jepni motivin për të bërë më të mirën dhe për të vazhduar përpara me energji të reja. Pa angazhimin dhe përkushtimin tuaj, suksesi ynë nuk do të kishte kuptim. Bashkë, do të vazhdojmë ta ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë.
Urime përvjetori i 14-të, dhe le të jetë ky një moment reflektimi dhe motivimi për të ecur drejt sfidave dhe mundësive të reja që na presin!
Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani – Rektor




