

Vizitë akredituese për programin Master “Edukimi dhe Mësimdhënia në Matematikë në Gjuhën Turke” në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, më 13 shkurt 2026, është realizuar vizita akredituese në kuadër të procedurës së akreditimit të programit Master “Edukimi dhe Mësimdhënia në Matematikë në Gjuhën Turke”, e organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim.
Gjatë vizitës, ekipi i ekspertëve ndërkombëtarë, në përbërje të Giga Khositashvilli, Hasan Çakır (online) dhe Juraj Bogat (online), ka zhvilluar një agjendë të detajuar takimesh me menaxhmentin e fakultetit, bartësit e programit, stafin akademik dhe administrativ, studentët, si dhe përfaqësues të punëdhënësve dhe palëve të jashtme. Procesi është koordinuar nga zyrtarët e KAA-së, Mimoza Dobra dhe Betim Sherifi.
Takimet u fokusuan në vlerësimin e cilësisë akademike të programit, sigurimin e cilësisë, kapacitetet infrastrukturore, kualifikimet e stafit, përfshirjen e studentëve dhe lidhjen e programit me tregun e punës. Po ashtu, ekspertët realizuan vizitë në hapësirat mësimore dhe infrastrukturore të fakultetit.
Në përfundim, u mbajt takimi mbyllës me menaxhmentin e fakultetit dhe udhëheqjen e programit, ku u diskutuan gjetjet paraprake dhe hapat e mëtejmë të procesit të akreditimit.
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren mbetet i përkushtuar në avancimin e cilësisë akademike dhe në përmbushjen e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të arsimit të lartë.











