

Promovohen botime me vlerë historike për popullsinë e Prizrenit dhe rrethinës sipas defterëve të vitit 1833
Më 20 maj 2025, në Amfiteatrin e Fakultetit Ekonomik të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, u mbajt me sukses promovimi i dy botimeve të rëndësishme që ndriçojnë përbërjen demografike dhe shoqërore të Prizrenit dhe rrethinës në fillim të shekullit XIX, bazuar në defterët osmanë të vitit 1833.
Në këtë ngjarje u prezantuan veprat:
“Defteri i popullsisë së Kazasë së Gorës (Luma, Opoja dhe Gora)” nga autori Dr. Sadik Mehmeti
“Popullsia e Kazasë së Prizrenit sipas Defterëve të vitit 1833” nga autorët Dr. Sadik Mehmeti dhe Dr. Hatixhe Ahmedi
Takimin e hapi Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, i cili theksoi rëndësinë e këtyre studimeve për ruajtjen e kujtesës historike dhe për zhvillimin e kërkimeve shkencore që rrënjosen në realitetin historik të vendit tonë. Ai gjithashtu vlerësoi punën dhe përkushtimin e autorëve në nxjerrjen në pah të burimeve arkivore me rëndësi kombëtare.
Ngjarja mblodhi studiues, profesorë, studentë dhe përfaqësues të institucioneve, të cilët treguan interesim të lartë për temat e trajtuara dhe u angazhuan në diskutime të frytshme rreth përmbajtjes së botimeve.
Universiteti “Ukshin Hoti” falënderon autorët dhe të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e tyre në pasurimin e historisë sonë shkencore dhe kulturore.














