

Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren organizoi aktivitet promovues të projektit Erasmus+ SINCERE me studentët
Në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren u mbajt aktivitetin promovues i projektit Erasmus+ SINCERE (Strengthening Integrity and Ethical Culture in Regional Higher Education), me pjesëmarrjen e studentëve të universitetit. Aktiviteti kishte për qëllim promovimin e integritetit akademik, etikës në arsimin e lartë dhe ndërtimin e një kulture akademike të përgjegjshme.
Në kuadër të aktivitetit, studentët u njohën me objektivat kryesore të projektit SINCERE, të cilat përfshijnë forcimin e kulturës së integritetit akademik, zhvillimin e praktikave institucionale për etikë dhe transparencë, si dhe ngritjen e vetëdijes për plagjiaturën, përdorimin e drejtë të burimeve akademike dhe përgjegjësinë në studime.
Aktiviteti u zhvillua në mënyrë interaktive përmes diskutimeve dhe ushtrimeve praktike me studentët. Në prezantim u trajtuan tema që lidhen me plagjiaturën, zonat “gri” të integritetit akademik, vendimmarrjen etike dhe rëndësinë e punës origjinale në universitet. Studentët morën pjesë në aktivitete të ndryshme si “Çfarë është e çfarë nuk është”, “Dhe ti çfarë do bëje?” dhe “Mesazhi ynë”, ku reflektuan mbi përgjegjësinë akademike dhe ndërtimin e reputacionit të tyre përmes punës së ndershme.
Gjatë aktivitetit u prezantua gjithashtu edhe propozimi për platformën monitoruese të integritetit akademik, e cila synon integrimin e Turnitin, LMS dhe një sistemi institucional për monitorim dhe raportim të rasteve të integritetit akademik. Platforma e propozuar parashikon monitorimin e rasteve të plagjiaturës, përdorimit të përmbajtjeve të gjeneruara nga AI, aktiviteteve në LMS, si dhe trajnimeve dhe performancës institucionale në fushën e integritetit akademik.
Në prezantim u theksua parimi kryesor i sistemit të propozuar: “Turnitin zbulon, LMS regjistron, ndërsa dashboard-i monitoron”, duke synuar krijimin e një mekanizmi institucional të bazuar në evidencë për menaxhimin dhe promovimin e integritetit akademik në universitet.
Aktiviteti u organizua në kuadër të projektit Erasmus+ SINCERE, i cili synon forcimin e kulturës së etikës dhe integritetit akademik në institucionet e arsimit të lartë në rajon.






