

Universiteti i Prizrenit drejt themelimit të Laboratorit të Inovacionit të Gjelbër
Sot, më 9 shtator 2025, në ambientet e Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren u mbajt një takim i përbashkët ndërmjet përfaqësuesve të Bashkimit Evropian – zyra në Kosovë, organizatës CARE, organizatës EC Ma Ndryshe dhe përfaqësuesve të Universitetit, lidhur me themelimin e Laboratorit të Inovacionit të Gjelbër.
Laboratori i Inovacionit të Gjelbër do të shërbejë si një qendër dinamike për hulumtim, arsim dhe inovacion në fushën e praktikave mjedisore të qëndrueshme dhe teknologjive të gjelbra. Ky laborator do të funksionojë nën kujdesin e Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit pranë Universitetit të Prizrenit, duke krijuar mundësi të reja për studentët, akademikët dhe komunitetin lokal.
Ky aktivitet po realizohet në kuadër të projektit “Horizontet e Gjelbra – Iniciativa për tranzicion të gjelbër e udhëhequr nga të rinjtë dhe komuniteti në Kosovën Perëndimore”, i cili zbatohet nga CARE dhe bashkë-financohet nga Bashkimi Evropian.
Në takim morën pjesë:
- Nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë: Vadim Stirbu, Zyrtar i Programit për Mjedisin dhe Ndryshimin e Klimës, dhe Olivier Boudart, Udhëheqës Ekipi për Mjedisin, Ndryshimet Klimatike, Sistemet e Qëndrueshme Ushqimore dhe Zhvillim Rural, Shoqërinë Civile, Median, Gjininë, Rininë dhe Kulturën.
- Nga organizata CARE: Melita Bytyçi Kelmendi, Menaxhere e Projektit, dhe Gjylymser Nallbani, Koordinatore e Projektit dhe Granteve.
- Nga EC Ma Ndryshe: Fisnik Minci dhe Muniba Hamza, Zyrtare e Projektit.
- Nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren: Rektori Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani, Prorektorja për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj, Sekretari i Përgjithshëm, Nexhmedin Krasniqi, si dhe përfaqësues të Fakultetit të Shkencave të Jetës dhe Mjedisit: Dekane Prof. Asoc. Dr. Albana Milaimi dhe Prof. Asoc. Dr. Isuf Lushi.
Ky hap paraqet një mundësi të rëndësishme për forcimin e rolit të universitetit si një aktor i angazhuar në çështjet e tranzicionit të gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.














