

CIVIC – Projekti më i ri i Universitetit të Prizrenit, i financuar nga programi Erasmus+
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren është përzgjedhur si përfitues dhe partner institucional në kuadër të projektit Erasmus+ me titull “CIVIC: Crafting Innovative Virtual Interactions for Civic Competences”, i cili udhëhiqet nga UC Leuven University College Leuven-Limburg (Belgjikë) dhe përfshin një konsorcium ndërkombëtar me partnerë nga Belgjika, Greqia, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.
Ky projekt ka për synim forcimin e kompetencave qytetare dhe demokratike përmes ndërveprimeve inovative virtuale ndërmjet studentëve dhe stafit akademik të vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Në kuadër të projektit, Universiteti i Prizrenit do të kontribuojë në:
- Zhvillimin e moduleve ndërkulturore për edukimin qytetar dhe bashkëpunimin rajonal;
- Krijimin e platformave digjitale për mësim dhe ndërveprim virtual mes studentëve nga vende të ndryshme;
- Fuqizimin e kapaciteteve të stafit akademik dhe administrativ për barazi, reziliencë dhe përfshirje sociale;
- Nxitjen e pjesëmarrjes aktive të të rinjve në jetën demokratike dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit me BE-në.
Projekti fokusohet në prioritetet strategjike të zhvillimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, përfshirë:
- Përshpejtimin e procesit të integrimit evropian,
- Fuqizimin e sundimit të ligjit,
- Nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe kohezionit social ndërmjet vendeve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Rezultatet e pritshme të projektit përfshijnë rritjen e ndërgjegjësimit qytetar, përmirësimin e aftësive për dialog ndërkulturor, si dhe zhvillimin e mekanizmave inovativë për vlerësim dhe shkëmbim virtual.
Ky është një hap tjetër i rëndësishëm për Universitetin e Prizrenit në drejtim të ndërkombëtarizimit dhe konsolidimit të rolit të tij si promotor i arsimit cilësor, inovacionit dhe qytetarisë aktive.




