

Marrëveshje Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prizrenit dhe Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë
Sot, në Universitetin “Ukshin Hoti” Prizren, u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Universitetit dhe Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në Kosovë (IKKL). Delegacioni i Institutit, i kryesuar nga Drejtori Ekzekutiv, Atdhe Hetemi, u prit nga Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani.
Në takim morën pjesë: Albiana Arbeni – u.d. Drejtore e Departamentit të Dokumentimit, Mimoza Gjevori – zyrtare e lartë për identifikimin e burimeve dhe Dritan Imeti – zyrtar i lartë rajonal.
Po ashtu, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të menaxhmentit të Universitetit: Prof. Ass. Dr. Luan Vardari, Prorektor për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore; Prof. Asoc. Dr. Serdan Kervan, Prorektore për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ngritje të Cilësisë; Prof. Ass. Dr. Adelina Rakaj, Prorektore për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë.
Ky memorandum ka për qëllim zhvillimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fusha me interes të përbashkët, duke përfshirë realizimin e projekteve hulumtuese, organizimin e konferencave, seminareve dhe aktiviteteve të tjera akademike e shkencore.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, palët do të angazhohen në zhvillimin e programeve edukative që ndërlidhen me historinë, dokumentimin dhe pasojat e krimeve të luftës në Kosovë, si dhe në përfshirjen aktive të studentëve në këto procese.
Po ashtu, marrëveshja parasheh ndarjen e burimeve profesionale dhe qasjen në arkiva dhe biblioteka për qëllime hulumtuese, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta me synim rritjen e ndërgjegjësimit dhe avancimin e bashkëpunimit akademik dhe shkencor.
Memorandumi i nënshkruar do të ketë një kohëzgjatje prej katër vitesh dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të partneriteteve ndërinstitucionale.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” Prizren, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani dhe Drejtori Ekzekutiv i IKKL-së Atdhe Hetemi.













