

Takimi Vjetor i KSHC-së dhe AKA-së me Institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë
Takimi vjetor i organizuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) mblodhi drejtuesit e arsimit të lartë për të diskutuar zhvillimet aktuale, prioritetet strategjike dhe sfidat në fushën e sigurimit të cilësisë.
Takimi u drejtua nga kryetarja e KSHC-së, Hasnie Ilazi, me pjesëmarrjen e drejtorit të AKA-së, Naim Gashi, drejtorit të Departamentit për Akreditim, Arianit Krasniqi, anëtarë tjerê të KSHC si dhe përfaqësuesve të institucioneve të arsimit të lartë, përfshirë prorektoren Prof. Asoc. Dr. Serden Kervan dhe Ramadan Baraliu, udhëheqës për sigurimin e cilësisë dhe akreditim, nga Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren
Në fjalën hyrëse, drejtori i AKA-së dhe kryetarja e KSHC-së theksuan se viti i kaluar është karakterizuar nga rikthimi i suksesshëm i AKA-së në European Quality Assurance Register for Higher Education (EQAR), duke konsoliduar pozitën ndërkombëtare të sistemit të arsimit të lartë të Kosovës.
U theksua gjithashtu angazhimi për riaplikim dhe përfshirje të plotë në European Association for Quality Assurance in Higher Education (ENQA), si pjesë e përpjekjeve për harmonizim të vazhdueshëm me standardet evropiane. Strategjia pesëvjeçare e AKA-së synon thellimin e reformave strukturore, tejkalimin e pengesave administrative dhe forcimin e mekanizmave të brendshëm të cilësisë.
Në këtë kontekst, u vlerësua se rezultatet dëshmojnë domosdoshmërinë e adresimit të përbashkët të sfidave nga të gjitha institucionet.
Një zhvillim me rëndësi është puna që po bëhet në përfshirjen e AKA-së në rrjetin amerikan të agjencive të akreditimit (QEA), duke rritur potencialin për njohje dhe krahasueshmëri të diplomave të Kosovës në SHBA dhe Evropë. Anëtarësimi në EQAR dhe përfshirja në rrjete ndërkombëtare u vlerësuan si faktorë që rrisin atraktivitetin e tregut të arsimit të lartë në Kosovë.
Drejtori i AKA-së inkurajoi institucionet të hapin programe në gjuhën angleze, me qëllim tërheqjen e studentëve ndërkombëtarë dhe zgjerimin e tregjeve akademike.
Rregulloret në proces dhe zhvillimet normativeAKA do të adresojë gjatë këtij viti disa rregullore të mbetura pezull, ndër to:
Rregullorja për diplomat e dyfishta dhe programet e përbashkëta;
Rregullorja për studimet online, ku u konfirmua se do të përfshihet edhe mësimi hibrid.
Këto rregullore pritet të finalizohen para ciklit të aplikimeve në korrik të vitit të ardhshëm, në mënyrë që institucionet të kenë qartësi ligjore dhe strukturore.
U diskutua rishikimi i standardeve evropiane për sigurimin e cilësisë (ESG), të cilat pritet të hyjnë në fuqi në vitin 2027. Sipas KSHC-së, ndryshimet nuk janë drastike.
Pas miratimit formal në nivel evropian, AKA do të përditësojë standardet kombëtare dhe do të sigurojë periudhë tranzitore, me njoftim dhe konsultim të plotë me institucionet.
Debati u përqendrua në sqarimin e konceptit të “bartësit të programit”. AKA theksoi se bartësi duhet të jetë figura akademike që mishëron vizionin dhe boshtin e programit, me dëshmi të qarta përkatësie në fushë përmes diplomave, hulumtimit dhe përvojës.
U sqarua se: nuk mjafton miratimi formal nga KSHC për bartësin;
programi duhet të mbështetet nga staf i mjaftueshëm akademik, profesorë të tjerë relevantë; për doktoraturat kërkohet dëshmi e orientimit të qëndrueshëm hulumtues; numri minimal i bartësve për doktoraturë është riorganizuar (3 bartës aktivë dhe 2 rezervë; dy rezervët mund të jenë njëkohësisht bartës në programe të tjera); profesorët asistentë mund të jenë mentorë, me kusht që të dëshmojnë nivel adekua shkencor.
Qëllimi i këtyre kërkesave është parandalimi i dështimit të programeve të doktoratës dhe sigurimi i mentorimit efektiv, pa vonesa për studentët.
Kultura e cilësisë dhe monitorimi i vazhdueshëm
U vlerësua se në institucionet e arsimit të lartë është konsoliduar një kulturë e brendshme e zhvillimit të cilësisë. Raportet e monitorimit tregojnë se rekomandimet e ekspertëve ndërkombëtarë po trajtohen me seriozitet dhe se procesi i përmirësimit nuk kufizohet vetëm në periudhën para riakreditimit.
U theksua se rritja e cilësisë është rezultat i përbashkët i të gjitha institucioneve kërkesat për kuota më të ulëta se rekomandimet e ekspertëve përbëjnë indikator të pjekurisë institucionale dhe orientimit drejt cilësisë; treguesit e cilësisë nuk mund të reduktohen vetëm në rangime apo në numrin e studentëve, por duhet të lidhen me performancën akademike, hulumtimin dhe kontributin shoqëror.
Konferenca vjetore dhe temat prioritare
Në shtator do të mbahet konferenca vjetore e AKA-së me pjesëmarrje ndërkombëtare, ku pritet të trajtohen edhe temat, si:
vetëvlerësimi institucional;
menaxhimi i cilësisë;
hulumtimi shkencor;
ndryshimet në ESG.
Takimi konfirmoi konsolidimin gradual të sistemit të sigurimit të cilësisë në Kosovë, rritjen e ndërkombëtarizimit dhe nevojën për thellim të mëtejshëm të standardeve akademike, veçanërisht në programet e reja dhe në studimet e doktoratës. U theksua se zhvillimi i qëndrueshëm i arsimit të lartë kërkon përgjegjësi të përbashkët institucionale, harmonizim me standardet evropiane dhe orientim të qartë drejt cilësisë, jo vetëm formale.





