U mbajt sesion informues për shërbimet e këshillimit akademik dhe psikologjik
Me këtë rast, Prof. Ass. Dr. Zirije Hasani, Prorektore për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore studentëve ju uroi fillimin e semestrit veror duke uruar studime të mbara dhe suksese. Ajo theksoi se Universiteti me qëllimin që të rrisë numrin e shërbimeve për studentët në mënyrë që ata të arrijnë sukseset më të larta në studime ka hartuar strategjinë për parandalimin e braktisjes së studimeve. Ajo shtoi se shumë shpejtë do të angazhohen edhe studentët tutor.
Nehat Gashi, koordinator i Qendrës së Karrierës&Alumni, ka prezantuar punët që janë bërë deri më tani dhe theksoi se Qendra e Karrierës është ura lidhëse mes universitetit dhe punëdhënësit, si mekanizëm për të ju ndihmuar të gjeni veten në tregun e punës.
Ass. Fikret Ramadani para studentëve shpalosi detyrat e këshilltarëve akademik në secilën njësi akademike. Ai bërI të ditur se nën drejtimin e përgjithshëm të dekanit nga secili fakultet dhe në bashkëpunim me Qendrën e Karrierës, këshilltari akademik koordinon aktivitete këshilluese për studentë në lidhje me programet studimore, suksesin akademik dhe bashkëpunon ngushtë me studentët tutor dhe Qendrën e Karrierës, për të orientuar ata drejt profesionit të ardhshëm.
Ndërkaq Prof. Ass. Dr. Pranvera Jetishi-Çollaku, e angazhuar që të jetë në shërbim të studentëve për këshillime psikologjike, foli për rëndësinë e kujdesit për shëndetin mendor. Profesoresha i njoftoi studentët se tani e tuje ajo do të jetë në dispozicion të studentëve për këshillime psikologjike.
Kryetari i Parlamentit Studentor Fatlind Tredhaku, në fjalën e tij në këtë sesion informues, i vlerësoi lartë shërbimet e studentëve të ofruara nga Universiteti duke shprehur besimin e tij se do të ndikojnë në suksesin e tyre akademik.
Të dhënat e këshilltarëve akademik dhe për këshillim psikologjik mund të gjenden në uebfaqe dhe mund të aranzhohen takime këshilluese fizike dhe online, sipas nevojës.