

U mbajt takimi koordinues për sigurimin e cilësisë dhe proceset e akreditimit të programeve studimore
Më 12.05.2026, në Sallën e Senatit, u mbajt takimi koordinues me dekanët e njësive akademike, kryetarët e komisioneve për cilësi në nivel fakulteti, zyrtarët për sigurimin e cilësisë në nivel të fakulteteve, si dhe me përfaqësuesit e Zyrës për Sigurimin e Cilësisë dhe Akreditim. Mbledhja u drejtua nga Prof. Asoc. Dr. Serdan Kervan, prorektore pë sigurimin e cilësisë dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
Takimi kishte për qëllim koordinimin e aktiviteteve dhe avancimin e proceseve të sigurimit të cilësisë, në funksion të përmbushjes së standardeve në nivel të programeve studimore, si dhe përgatitjes për proceset e akreditimit dhe riakreditimit.
Gjatë takimit u diskutua për finalizimin e raporteve vjetore të vlerësimit dhe hartimin e planeve për implementimin e rekomandimeve në bazë të ciklit PDCA, zbatimin e rekomandimeve nga vlerësimet e brendshme dhe proceset e fundit të akreditimit/riakreditimit, si dhe raportimin 6-mujor lidhur me progresin e arritur.
Po ashtu, pjesëmarrësit diskutuan për zbatimin e standardeve të cilësisë në nivel programor, sipas manualit dhe rregullores së Agjencisë së Kosovës për Akreditim, sfidat në proceset e përmirësimit të cilësisë, procedurat pasakredituese dhe përgatitjet për aplikim për akreditim dhe riakreditim të programeve studimore ekzistuese dhe të reja.
Në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet njësive akademike dhe strukturave përgjegjëse për sigurimin e cilësisë, me qëllim të avancimit të vazhdueshëm të cilësisë në mësimdhënie, kërkim shkencor dhe shërbime ndaj studentëve.




