

Universiteti i Prizrenit në bashkëpunim me SHER, organizoi punëtori për rishikimin e Statutit
Universiteti “Ukshin Hoti” Prizren, në bashkëpunim me Programin SHER, ka organizuar më 4 dhe 5 shkurt 2026 një punëtori me fokus rishikimin e Statutit të Universitetit.
Punëtoria u hap me fjalë përshëndetëse nga Rektori i Universitetit, Prof. Asoc. Dr. Mentor Alishani dhe Koordinatori Tematik i Programit SHER z. Nehat Dervishi, të cilët theksuan rëndësinë e Statutit si dokument kyç për funksionimin institucional, qeverisjen universitare dhe zhvillimin strategjik të universitetit.
Në këtë punëtori morën pjesë anëtarët e grupit punues për rishikimin e Statutit, ku ishin të përfshirë anëtarë të Këshillit Drejtues, përfshirë Kryesuesin e tij, Prof. Arif Murrja, Prorektorët, Sekretari i Universitetit, Dekanët e njësive akademike, Senatorë si dhe Profesorë të Universitetit.
Gjatë ditës së parë, pjesëmarrësit u njohën me analizën e Statutit ekzistues të përgatitur nga eksperti ndërkombëtar i Programit SHER, e prezantuar nga Prof. Blerim Saqipi, si dhe u diskutua metodologjia e punës për rishikimin dhe amandamentimin e neneve statutore. Nëpërmjet punës në grupe u trajtuan sfidat, mundësitë dhe fushat për përmirësim, përfshirë dispozitat e përgjithshme dhe organet kryesore drejtuese të universitetit.
Dita e dytë e punëtorisë u përqendrua në formulimin ligjor të neneve të përzgjedhura të Statutit, si mekanizmat e ankesave, të drejtat dhe përgjegjësitë e studentëve, përgjegjësitë e strukturave menaxheriale, Këshilli i Etikës, si dhe ndarja e përgjegjësive ndërmjet organeve drejtuese. Këto sesione u realizuan nga Prof. Bashkim Preteni, në bashkëpunim me ekipin e Programit SHER.
Në përmbyllje të punëtorisë, u theksua rëndësia e kontributit të përbashkët akademik dhe profesional në përmirësimin e Statutit dhe u dakorduan hapat e ardhshëm drejt finalizimit të dokumentit, në përputhje me standardet ligjore dhe praktikat më të mira evropiane në arsimin e lartë.



















